Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën në mëngjes, më 28 nëntor, në autostradën A57, pranë qytetit Neuss të Gjermanisë.

Një shofer ka mbetur i bllokuar në veturën e tij, pasi është përplasur nga pas me një kamion. Ai ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa një rol të rëndësishëm në shpëtimin e tij ka luajtur ora inteligjente Apple Watch, e cila ka aktivizuar automatikisht thirrjen emergjente, raportojnë mediat gjermane, transmeton IndeksOnline.

Aksidenti ndodhi rreth orës 06:46, në drejtim të Krefeldit, pak para daljes Norf. Si pasojë e përplasjes, pjesa e përparme e veturës kishte përfunduar nën pjesën e pasme të kamionit.

Kur ekipet e para të emergjencës arritën në vendngjarje, shoferi ishte ende brenda automjetit, i bllokuar dhe vetëm pjesërisht i vetëdijshëm.

Apple Watch aktivizoi vetë alarmin emergjent

Sipas informacioneve nga zjarrfikësit, thirrja e parë për ndihmë ishte bërë automatikisht nga ora Apple Watch e shoferit, e cila kishte identifikuar aksidentin e rëndë. Më pas, edhe disa persona të tjerë kishin telefonuar shërbimet emergjente për të konfirmuar ngjarjen.

Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës nisën menjëherë ndërhyrjen për shpëtimin e shoferit. Pas konsultimit me mjekun e emergjencës, u realizua operacioni teknik për nxjerrjen e tij nga vetura.

Pas rreth 25 minutash, ekipet arritën ta nxirrnin shoferin nga automjeti, ndërsa më pas ai iu dorëzua ekipit mjekësor për trajtim të mëtejshëm.

Nga vetura u shpëtuan edhe dy qen

Në automjet ndodheshin edhe dy qen, të cilët gjithashtu u nxorën nga zjarrfikësit. Sipas vlerësimeve të para, kafshët nuk kishin lëndime të dukshme, por më vonë u dërguan për kontroll te veterineri.