Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke theksuar se ky akt barbar nuk do të harrohet kurrë dhe se 8372 viktima të pafajshme, si dhe nënat e Srebrenicës, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për bijtë e tyre.
Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Presidentja Osmani ka dënuar ashpër qëndrimin e Serbisë. Ajo ka theksuar se një regjim në Serbi, i cili edhe sot e mohon gjenocidin në Srebrenicë e kudo në Bosnjë e Hercegovinë, njësoj siç mohon edhe atë në Kosovë, nuk mund të jetë faktor i paqes.
“8372 jetë të pafajshme! 8372 nëna të Srebrenicës që edhe sot kërkojnë drejtësi për bijtë e tyre! Një gjenocid që nuk do të harrohet kurrë,” shkruan Osmani, duke shtuar se “mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen asnjëherë në faktorë të paqes.”
Presidentja Osmani ka kujtuar gjithashtu vizitën e nënave të Srebrenicës në Kosovë vitin e kaluar. “Ato që mbi tri dekada mbajtën barrën e dhimbjes që nuk lehtësohet kurrë, por edhe të luftës së pandalur për drejtësi. Sepse paqja kurrë nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit,” përfundoi ajo.
