Osmani në fjalim lamtumirës: Sfidat nga brenda për shkak të parimeve, Kosova është amanet

Vjosa Osmani, ish-Presidente e Kosovës, ka publikuar fjalimin e saj lamtumirës pasi i ka dorëzuar detyrën kryeparlamentares Albulena Haxhiu. Në këtë fjalim, Osmani theksoi se Kosova nuk është instrument, por një amanet, dhe se gjatë mandatit të saj është përballur me sfida “nga brenda”, pasi nuk ka lëvizur nga parimet e saj.

Osmani u shpreh krenare që e lë Presidencën të fortë, me aleatë dhe më të respektuar në botë, duke e krahasuar këtë gjendje me atë që la presidenti historik Ibrahim Rugova. Ajo theksoi se institucioni tani ka “dyer të hapura dhe aleanca të forta”.

Gjatë fjalimit, ajo përmendi edhe arritjet e mandatit të saj, duke theksuar liberalizimin e vizave, çështjet që lidhen me integrimin dhe forcimin e aleancave me vende të ndryshme ndërkombëtare.

Në një pjesë të fjalimit, Osmani deklaroi se pesë vite në krye të shtetit e kanë mësuar se sfidat më të mëdha shpesh nuk vijnë nga jashtë, por nga brenda. Këto sfida, sipas saj, shfaqen kur qëndrueshmëria ndaj parimeve shihet si pengesë dhe kur besnikëria ndaj shtetit nuk përputhet me interesat ditore të individëve të caktuar.

Ajo përfundoi fjalimin e saj me një mesazh të qartë mbi integritetin dhe identitetin e Kosovës: “Në këto momente, një udhëheqëse duhet të zgjedhë mes komoditetit dhe integritetit. Unë jam e bindur se zgjodha integritetin, sepse për mua Republika nuk është instrument, është amanet”, deklaroi Osmani.