Vjosa Osmani prezanton Besim Kodrën si anëtar të ekipit: Zë i fuqishëm për pacientët
Kandidatja për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar Besim Kodrën si anëtar të ekipit të saj, duke theksuar se ai do të jetë një zë i fuqishëm për pacientët.
Osmani bëri të ditur se Kodra, i cili është jurist dhe ekspert i fushës së shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve, ka një përvojë mbi një dekadë në mbështetjen e pacientëve dhe familjeve të tyre.
Gjatë viteve, ai ka kontribuar në hartimin e politikave, forcimin e llogaridhënies dhe mbrojtjen e interesit qytetar, si dhe ka përfaqësuar Kosovën në iniciativa të ndryshme rajonale, evropiane e globale. Përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Kodra ka dëshmuar përkushtimin e tij ndaj humanizmit dhe shërbimit publik.
Osmani theksoi se ky mision i Kodrës do të vazhdojë në Kuvend, ku ai do të angazhohet për të përfaqësuar kauzën e pacientëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ajo shprehu bindjen se Besim Kodra do të jetë një zë i fortë dhe i rëndësishëm për pacientët, qytetarët dhe interesin publik në përgjithësi.
