Presidentja Osmani uron Kurban Bajramin, bën thirrje për dashuri, solidaritet dhe paqe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimet e saj me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Osmani theksoi se kjo festë kujton forcën e besimit në Zot dhe vlerën e lartë të solidaritetit njerëzor.
Ajo theksoi më tej se, në këto ditë të bekuara, është e rëndësishme që zemrat të hapen për më shumë dashuri dhe kujdes reciprok, sidomos ndaj atyre që kanë nevojë më të madhe për mbështetje dhe ngrohtësi.
Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani shkruan: “Uroj që Kurban Bajrami të sjellë paqe në zemrat tuaja, harmoni në familje, shëndet, begati dhe gëzim në çdo vatër. Qoftë kjo festë një moment bashkimi, faljeje dhe shprese për ditë më të mira për të gjithë. Me fat Kurban Bajrami!”
