Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj situatës politike pas seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po e mban Kosovën peng të llogarive të tij partiake.

Sipas OVL e UÇK-së, zhvillimet në seancën konstituive, e cila u ndërpre pasi Kurti nuk paraqiti një emër për kryetar/e të Kuvendit, tregojnë një përpjekje për të mbajtur vendin peng. Në reagimin e saj, organizata thekson se Kosova nuk është pronë e asnjë udhëheqësi apo partie politike.

“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake të Albin Kurtit. Pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk ka arritur të funksionojë, ndërsa vendi mbetet pa qeveri me mandat të plotë. Kjo nuk është thjesht një strategji, por një sulm ndaj rendit institucional dhe vetë sigurisë së shtetit,” thuhet në deklaratën e OVL e UÇK-së.

Organizata ia atribuon përgjegjësinë kryesore Albin Kurtit, duke theksuar se refuzimi i tij për ta vendosur interesin kombëtar mbi pushtetin partiak thellon paqëndrueshmërinë dhe dëmton lidhjet me aleatët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. OVL e UÇK-së vë në dukje se veteranët tashmë përballen me barra të rënda administrative dhe ligjore, ndërkohë që Kosovës i duhen institucione funksionale sa më parë.

Në fund të reagimit, OVL e UÇK-së i bën thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërpresin “lojërat me fatin e vendit”, t’i hapin rrugë formimit të institucioneve dhe të mos e mbajnë Kosovën peng të agjendave personale. “Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe as luksin për të pësuar dëme të mëtejshme diplomatike e ekonomike,” përfundon deklarata.