OVL e UÇK-së në Drenas ndërprenë bashkëpunimin me Komunën, akuzojnë për përjashtim dhe mospërkrahje
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), dega në Drenas, njoftuan sot ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Komunën e Drenasit. Kjo vjen pas akuzave të tyre për mungesë të vazhdueshme bashkëpunimi dhe mbështetjeje nga institucionet komunale dhe kryetari Ramiz Lladrovci.
Në një njoftim të publikuar më 2 tetor, organizatat theksojnë se janë përjashtuar nga aktivitete të ndryshme dhe nuk kanë përfituar asnjë lloj ndihme apo përkrahjeje institucionale. Sipas OVL-së, për vite me radhë ato nuk janë ftuar në ceremoni apo mbledhje solemne për data historike si 17 Shkurti, 5, 6 dhe 7 Marsi, si dhe 14 Qershori – Dita e Çlirimit.
«Ne jemi të përjashtuar nga secili aktivitet, duke mos na ofruar asnjë bashkëpunim, asnjë ndihmë dhe asnjë përkrahje», citon njoftimi.
Organizatat pohojnë gjithashtu se kërkesat e tyre janë refuzuar ose kanë mbetur pa përgjigje, ndërkohë që, sipas tyre, rreth 50 organizata joqeveritare përfitojnë forma të ndryshme mbështetjeje nga komuna. Njoftimi përmend edhe «moslejimin dhe pengimin për shfrytëzimin e trojeve».
OVL e UÇK-së i ka kërkuar falje familjeve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe qytetarëve, duke theksuar se bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë me një institucion i cili, sipas tyre, «në vend të mbështetjes, i pengon dhe i përjashton».
Njoftimi mban nënshkrimet dhe vulat e përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta të UÇK-së në Drenas.
