Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka pritur në takim kryetarin e Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, dhe anëtarët e Bordit të kësaj ode, me të cilët ka diskutuar për fuqizimin e rolit të odës në mbikëqyrjen profesionale të inxhinierëve në projekte dhe vendpunishte.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka theksuar rëndësinë e angazhimit aktiv të inxhinierëve në projekte, duke vlerësuar se prania e tyre është thelbësore për garantimin e sigurisë në vendpunishte dhe parandalimin e incidenteve.

Ajo ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, do të angazhohen për të siguruar që të gjitha vendpunishtet në Kosovë të respektojnë ligjin, rregullat dhe masat e sigurisë në punë.

“Nuk do të tolerojmë punime pa mbikëqyrje profesionale dhe as keqpërdorim të licencave nga inxhinierët e licencuar”, ka theksuar Pacolli.

Ministrja ka nënvizuar gjithashtu se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të angazhohet që edhe projektet publike të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi, sa i përket lejeve ndërtimore, mbikëqyrjes profesionale dhe angazhimit të inxhinierëve të licencuar.