Mbi 150 mijë euro në muaj nga buxheti i Kosovës shpenzohen për “pagën kalimtare” të ish-deputetëve, në një kohë kur vendi përballet me rritje çmimesh dhe pasiguri ekonomike. Kjo skemë siguron të ardhura për deputetët edhe pasi ata nuk janë më anëtarë të Kuvendit.

E ashtuquajtura “pagë kalimtare” është një kompensim që u garanton ish-deputetëve pagë mujore deri në 12 muaj pas përfundimit të mandatit, pavarësisht nëse janë rizgjedhur apo ushtrojnë ndonjë funksion tjetër parlamentar.

Ky përfitim i kushton shtetit miliona euro. Vetëm nga legjislatura e fundit – e cila zgjati nga 11 shkurti deri më 28 prill – një ish-deputet mund të kushtojë rreth 23 mijë euro në vit, pa pasur asnjë angazhim në Kuvend. Aktualisht, institucioni ligjvënës nuk është funksional, pasi është në pritje të konstituimit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, rezultatet e të cilave ende nuk janë certifikuar.

Në maj, 80 nga 120 deputetët e përgjithshëm kanë aplikuar për pagën kalimtare prej 1.914 eurosh, sipas të dhënave të Kuvendit të Kosovës. Kjo shifër arrin në rreth 153 mijë euro në muaj nga buxheti i shtetit, ose afërsisht dy milionë euro në vit.

**E garantuar me ligj, por me dilema etike**

Paga kalimtare, ndonëse e garantuar me ligj, ngre dilema etike. Ajo u siguron kompensim ish-deputetëve pavarësisht kohëzgjatjes së mandatit apo faktit që ata mund të mos e ushtrojnë më funksionin. Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit parashikon këtë pagesë deri në momentin kur ata fillojnë të gjenerojnë të ardhura nga një burim tjetër, të marrin pension, ose për një periudhë maksimale prej 12 muajsh.

Organizatat monitoruese e cilësojnë legjislaturën e dhjetë, të fundit, si joefektive. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) raporton se gjatë shkurt-prillit, Kuvendi mbajti 24 seanca, kryesisht të jashtëzakonshme, me vendimmarrje të shpejtë dhe pa debat thelbësor.

Hulumtuesi ligjor i IKD-së, Melos Kolshi, thekson se pavarësisht ligjshmërisë, paga kalimtare krijon një ndarje të qartë mes ligjit dhe etikës publike. Ai argumenton se problemi qëndron në aplikimin thuajse automatik të kësaj të drejte, në një realitet ku qytetarët përballen me papunësi, kosto të lartë jetese dhe paga të ulëta. Kolshi shton se përgjegjësia nuk është vetëm ligjore, por edhe morale, duke theksuar se çdo ish-deputet duhet të vlerësojë personalisht nevojën reale për këtë kompensim.

“Nëse një ish-deputet ka mundësi të kthehet menjëherë në profesionin e tij apo ka burime të tjera të të ardhurave, atëherë përfitimi i pagës kalimtare vetëm pse e lejon ligji, është vështirë të arsyetohet nga pikëpamja etike,” thotë Kolshi për Radion Evropa e Lirë.

**E paarsyeshme në një ekonomi me sfida**

Në aspektin ekonomik, kjo skemë shikohet edhe më kritike. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e konsideron këtë pagesë të paarsyeshme në kushtet aktuale ekonomike të vendit. Edhe pse qëllimi i saj është të lehtësojë tranzicionin e ish-deputetëve, kostoja prej rreth dy milionë eurosh në vit është vështirë të justifikohet në një ekonomi me inflacion dhe papunësi të lartë, argumenton Mehmeti.

“Dy milionë euro do të mund të shpenzoheshin për arsim, shëndetësi, mbështetje për të rinjtë, bursa studentore apo programe punësimi,” thekson Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, aktiviteti ekonomik në Kosovë është ngadalësuar, ndërsa inflacioni ka shënuar rritje gjatë vitit të fundit. Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon se inflacioni në maj arriti në 6.8 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore. Megjithëse ekonomia ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë, ekspertët vlerësojnë se kjo rritje njëshifrore nuk mjafton për të përmirësuar ndjeshëm mirëqenien e qytetarëve. Papunësia mbetet në 10.9 për qind, ndërsa paga mesatare mujore është 713 euro.

**Ekspertët bëjnë thirrje për rishikimin e ligjit**

Mehmeti dhe Kolshi pajtohen se baza ligjore duhet rishikuar, pa hequr plotësisht këtë të drejtë. Sipas Kolshit, thelbi i problemit nuk është ekzistenca e pagës kalimtare, por mënyra sesi ajo është hartuar. Ai propozon rishikimin e periudhës 12-mujore, veçanërisht kur mandatet parlamentare në praktikë mund të zgjasin shumë më pak. Një model më fleksibël, sipas tij, do të ishte më i drejtë dhe më proporcional me kohëzgjatjen reale të mandatit.

“Një periudhë fikse prej 12 muajsh mund të mos jetë gjithmonë e justifikuar, prandaj mund të shqyrtohet një afat më i shkurtër ose një model gradual që zvogëlon kompensimin me kalimin e kohës, varësisht nga kohëzgjatja e legjislaturës,” sqaron Kolshi.

Mehmeti sugjeron kufizimin e pagës kalimtare në 3 deri në 6 muaj, ose lidhjen e saj më të ngushtë me kohëzgjatjen e shërbimit parlamentar. “Kjo do të rriste përgjegjshmërinë dhe transparencën në përdorimin e parasë së taksapaguesve, pasi vitet e fundit janë shpeshtuar ciklet zgjedhore, e rrjedhimisht edhe pagesat,” thekson ai.

**Ciklet e shpeshta zgjedhore dhe kostoja e tyre**

Vetëm gjatë një viti e gjysmë të fundit, Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare, një tregues i paqëndrueshmërisë politike që ndikon drejtpërdrejt në barrën financiare të shtetit.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë rezultatet përfundimtare deri në fund të muajit, dhe më pas pritet të konstituohet Kuvendi i ri. Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7. Njëzet mandate janë të garantuara për komunitetet pakicë – dhjetë për serbët dhe dhjetë për komunitetet e tjera.

Nga legjislatura e fundit, 36 deputetë nuk janë rizgjedhur, por numri përfundimtar i përfituesve të pagës kalimtare do të qartësohet vetëm pas formimit të Qeverisë, pasi disa prej tyre pritet të emërohen ministra dhe të lirojnë mandatet e tyre parlamentare.