Prokuroria Themelore në Prizren, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar Z.D., i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Ai akuzohet për veprën penale të “blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 30 tetor 2023, i pandehuri dyshohet se ka transportuar ilegalisht substanca narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Ai kishte marrë me qira një automjet në Tiranë dhe po udhëtonte në drejtim të Republikës së Kosovës.
Gjatë hyrjes në Kosovë, Z.D. u ndalua për kontroll nga autoritetet kufitare në Vërmicë. Gjatë kontrollit të automjetit, nën ulësen e shoferit u gjet një qese plastike me rreth 575.71 gramë substancë të dyshuar kokainë. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të të pandehurit, iu gjet edhe një sasi e vogël prej 0.35 gramësh substancë e dyshuar marihuanë.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, Z.D. të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet në bazë të ligjit.
