Hungaria ka regjistruar një pjesëmarrje rekord votuesish në zgjedhjet parlamentare. Pak orë para mbylljes së qendrave të votimit, shifra zyrtare tregonte se deri në orën 17:00, 74.23% e qytetarëve me të drejtë vote kishin hedhur votën e tyre.

Ky nivel i lartë shënon një rekord të ri krahasuar me zgjedhjet e mëparshme në të njëjtën orë, duke dëshmuar një mobilizim të fuqishëm të qytetarëve në këtë proces zgjedhor me rëndësi të veçantë politike. Pjesëmarrja e këtij viti është mbi 11 pikë përqindje më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2022.

Kjo rritje e theksuar e pjesëmarrjes lidhet me klimën e tensionuar politike dhe me peshën e madhe që kanë këto zgjedhje, të konsideruara vendimtare për të ardhmen politike të Hungarisë. Analistët politikë vlerësojnë se interesi i lartë i votuesve mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatin final. Mbetet për t’u parë nëse ky trend do të ruhet deri në mbylljen e plotë të procesit të votimit.

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, dhe rivali i tij kryesor, Péter Magyar, hodhën votën e tyre më herët gjatë ditës, të rrethuar nga gazetarë dhe kamera, në atë që shihet si një proces zgjedhor thelbësor për të ardhmen politike të vendit.

Orbán deklaroi para mediave se ishte “këtu për të fituar” dhe, i pyetur nëse kishte nënvlerësuar kundërshtarin e tij, iu përgjigj shkurt: “Unë nuk nënvlerësoj askënd.” Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të rendit kushtetues, duke shtuar se “në Hungari ekziston një kushtetutë dhe ajo duhet të zbatohet. Vendimi i popullit duhet të respektohet,” sipas raportimit të agjencisë Reuters.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi se Orbán paralajmëroi gjithashtu për një “krizë të madhe” që mund të presë Evropën, duke shtuar: “Fatmirësisht kemi shumë miq në botë, nga Amerika te Kina, Rusia dhe bota turke.”

Nga ana tjetër, Péter Magyar u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në atë që e cilësoi “një zgjedhje vendimtare”. Ai deklaroi se ky votim përfaqëson një zgjedhje mes “Lindjes dhe Perëndimit”, si dhe mes “korrupsionit dhe një jete publike të pastër”. Magyar paralajmëroi se një fitore e Orbán do të çonte në “kolaps të plotë të shërbimeve publike”, ndërsa u bëri thirrje votuesve të ndihmonin në “rikthimin e fondeve të Bashkimit Evropian” për të ringjallur ekonominë hungareze.