Mbi gjashtë orë pas shpalljes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, të dhënat e transportit detar tregojnë një lëvizje të kufizuar në Ngushticën e Hormuzit. Një analist ka paralajmëruar se anijet dhe kompanitë e sigurimit do të kërkojnë sinjale të tjera pozitive përpara se të rifillojnë plotësisht trafikun në këtë rrugë ujore jetike.

“Armëpushimi është një hap i parë i domosdoshëm, por nuk nënkupton normalizimin e menjëhershëm të transportit tregtar në rrugët ndërkombëtare të trafikut në Ngushticë,” theksoi Charlie Brown, këshilltar i lartë për gjurmimin e flotave të fshehta pranë organizatës ‘United Against Iran’ dhe ish-oficer i Marinës Amerikane, sipas raportimeve të CNN.

“Pronarët e anijeve ende presin udhëzime autoritative nga kanalet e sigurisë detare, nga shtetet nën flamurin e të cilave operojnë anijet, dhe, mbi të gjitha, nga siguruesit e rrezikut të luftës në det, përpara se të dërgojnë anijet përsëri në ngushticë,” shtoi Brown.

“Sinjali i vërtetë për t’u vëzhguar janë ‘pionierët’ – anijet e para që do të guxojnë të testojnë këtë rrugë. Nëse këto kalime përfundojnë në mënyrë të sigurt, besimi do të rritet me shpejtësi dhe grupi më i gjerë që është në pritje do t’i ndjekë.”

Irani ka sulmuar të paktën 19 anije pranë Ngushticës së Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, që nga fillimi i intensifikimit të tensioneve në rajon. Ndërprerja e kësaj rruge ujore për më shumë se gjashtë javë ka kufizuar furnizimet me naftë për pjesën tjetër të botës dhe ka shkaktuar luhatje në tregjet globale.

Të mërkurën në mëngjes, ministri i jashtëm i Iranit deklaroi se “kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur përmes koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit.” Irani dhe Omani do t’u vendosin anijeve një tarifë kalimi për shfrytëzimin e ngushticës gjatë periudhës së armëpushimit, raportoi agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim.