Pak para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, miq dhe familjarë mblidhen në shtëpinë e Hashim Thaçit
Në pritje të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), miq dhe familjarë kanë nisur të mblidhen në shtëpinë e Thaçit, siç raporton Ekonomia Online.
Në Hagë, sot pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për sot, më 16 shtator, në orën 10:00. Seanca është publike dhe transmetohet drejtpërdrejt në shqip, anglisht dhe serbisht, me një vonesë prej 10 minutash.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave ka përfunduar më 18 dhjetor 2023. Gjatë këtij procesi, kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, ndërsa në të marrin pjesë 156 viktima.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte. Të gjithë ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura.
Të katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
