Protestat për çmimet e qumështit: Ministri Muja takon prodhuesit, premton mbështetje dhe konkurrencë të drejtë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar sot një takim me Bordin Drejtues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës. Takimi vjen në një kohë kur sektori i qumështit përballet me pakënaqësi të thella nga ana e fermerëve, të cilët kanë protestuar kundër uljes së çmimit të blerjes së qumështit duke e derdhur atë.

Gjatë diskutimit për situatën aktuale në sektor, Ministri Muja theksoi përkushtimin e ministrisë për të adresuar sfidat dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për stabilizimin e zinxhirit të vlerës, duke përfshirë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit dhe produkteve të tij.

Muja nënvizoi se mbështetja e prodhuesve vendorë, ruajtja e një konkurrence të drejtë në treg dhe garantimi i sigurisë ushqimore janë prioritet i lartë për Ministrinë e Bujqësisë.

Ministria ka premtuar vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me prodhuesit, përpunuesit dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për sektorin e qumështit në Kosovë.