Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka bërë publik një njoftim për takimin që ai zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Ky takim u realizua në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti deklaroi se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv, megjithëse nuk pati rezultat konkret.
“Uroj që kjo frymë konstruktive të mbizotërojë edhe në vijim dhe që, në përputhje me afatet, të konstituohen institucionet. Sipas bindjes sime, vullneti është aty dhe atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë,” theksoi ai.
Gjithashtu, Kurti shtoi se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”. Ai theksoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, jopartiake, që është përtej polemikave të skenës aktuale, me vlera të dëshmuara kombëtare e profesionale, dhe që të jetë shprehje e unitetit.
Krahas Kurtit, në takim ishte edhe Hekuran Murati.
Në kuadër të këtyre konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti do të takojë pasdite edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
