Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka nisur një protestë para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Protesta vjen si kundërshtim ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos dy ditë më parë në qendër të Prishtinës dhe është kontestuar për pasaktësitë e saj.

OVL-UÇK e ka cilësuar ekspozitën si një shtrembërim të së vërtetës mbi Luftën Çlirimtare të Kosovës. Qindra qytetarë janë mbledhur para institucionit për t’iu bashkuar protestës.

Ekspozita, e cila ka marrë kritika të shumta për pasaktësitë në detaje lidhur me masakrat e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka nxitur reagimin e ashpër të OVL-UÇK. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, deklaroi të dielën, në një konferencë për media, se kjo ekspozitë përbën një fyerje për organizatën dhe shoqërinë në përgjithësi.