**Ferizaj: I Mituri Sulmon me Thikë i Maskuar dhe me Rroba Ushtarake, Gjykata e Lë në Paraburgim dhe Jep Detaje të Reja**
Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj një të mituri. Ai dyshohet se mëngjesin e djeshëm ka sulmuar me thikë dy persona dhe, gjatë arrestimit, edhe një oficer policie.
Pas seancës dëgjimore dhe analizimit të dokumenteve të rastit, gjyqtari i procedurës paraprake, Shabi Idrizi nga Departamenti për të Mitur, ka miratuar kërkesën e prokurorisë për 30 ditë paraburgim. Gjykata ka publikuar edhe detaje të reja, duke shpjeguar arsyetimin për këtë vendim.
Dyshimet e bazuara tregojnë se më 10 korrik 2026, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj, pranë Postës Kryesore, i mituri, i veshur me rroba ushtarake, me doreza dhe i maskuar, ka sulmuar papritur me thikë të dëmtuarit I.M. dhe S.H. Ai ka tentuar me dashje t’i privojë nga jeta, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në organe vitale të fytyrës. Pas sulmit, i mituri është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Ferizajt për ndihmë mjekësore.
Rreth orës 08:10 të po të njëjtës datë, në fshatin G., Komuna Ferizaj, në lagjen “S.”, në oborrin e shtëpisë së B.B. ku jetonte gjyshja e të miturit, i dyshuari kishte shkuar pasi kishte kryer sulmet e para. Aty ndodhej edhe nëna e tij, e pandehura D.Gj. Kur zyrtarët policorë A.U. dhe B.R. hynë në oborr dhe i kërkuan të miturit të dorëzohej e të largonte thikën nga dora, ai rezistoi. Gjatë kësaj, ai sulmoi zyrtarin policor B.R., i cili u tërhoq nga e pandehura D.Gj. dhe ra në tokë. I mituri u hodh sipër tij me thikë. Në këtë moment ndërhyri polici A.U., duke u përpjekur të largonte të miturin, por ky i fundit përdori thikën në mënyrë të pakontrolluar, duke i shkaktuar A.U. një lëndim trupor në anën e majtë të qafës. Lëndimet e oficerëve janë përshkruar në raportin e Spitalit Rajonal në Ferizaj.
Gjithashtu, theksohet se i mituri, më 10 korrik 2026, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj, ka poseduar një thikë kuzhine në mënyrë të paautorizuar, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët (Ligji Nr. 03/L-143). Thika, e cila konsiderohet “armë e ftohtë”, është konfiskuar nga policia.
I mituri dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar”, si dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit si të bazuar në dispozitat ligjore, dhe të miturit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh. Palët njoftohen se ankesa kundër këtij vendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.
