Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj, ka reaguar ashpër pas incidentit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, gjuajti me vezë në drejtim të kreut të qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Feraj ka vënë në pah të kaluarën e Kadriajt, duke rikujtuar përfshirjen e saj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por njëkohësisht ka ngritur akuza për bashkëpunimin e saj të mëvonshëm politik.
“Gati e kishim harruar se Time Kadriaj ka qenë në UÇK, ndoshta sepse me vite të tëra ka bashkëpunuar me kriminelin e luftës Milan Radoiçiç,” shkroi Feraj.
Ai më tej e lidhi këtë situatë me zhvillimet politike në veri të Kosovës dhe me mënyrën sesi institucionet kanë trajtuar Milan Radoiçiçin, duke bërë një krahasim mes qeverisjeve të mëparshme dhe asaj të udhëhequr nga Kurti.
Sipas Ferajt, Radoiçiçi dikur kishte pasur ndikim të madh në veri, ndërsa Qeveria Kurti e kishte ndjekur penalisht dhe shpallur në kërkim.
Në përfundim të reagimit të tij, Feraj theksoi: “E tani cilën veprimtari të Timës ta kujtojmë, atë që zgjati pak apo atë që po e zgjat shumë?”, duke aluduar për dallimin mes angazhimit të saj të hershëm dhe akuzave për bashkëpunim të mëvonshëm.
