Besar Musolli, drejtor sportiv te Llapi pas pensionimit nga futbolli aktiv
Besar Musolli, ish-futbollisti i njohur, ka gjetur menjëherë një pozicion të ri në botën e futbollit, vetëm pak pasi njoftoi pensionimin nga karriera e tij aktive.
Musolli, i cili sot bëri të ditur largimin nga futbolli profesionist, do të vazhdojë të jetë pjesë e sportit të tij të dashur, duke marrë detyrën e Drejtorit Sportiv te klubi i Superligës së Kosovës, Llapi. Ky emërim vjen në një klub ku Musolli ka lënë gjurmë të thella gjatë sezoneve të fundit, duke qenë një nga lojtarët kyç të ekipit.
Nëpërmjet një deklarate të publikuar, Musolli u shpreh i lumtur dhe i nderuar për rolin e ri:
“Pas përfundimit të karrierës sime si futbollist, jam shumë i lumtur dhe i nderuar që do të vazhdoj të jem pjesë e klubit, tashmë në një rol të ri si Drejtor Sportiv. Falënderoj drejtuesit e klubit për besimin e dhënë. Llapi është shtëpia ime dhe do të vazhdoj të jap maksimumin për këtë klub, ashtu siç kam bërë edhe në fushën e lojës. Së bashku me drejtuesit dhe shtabin teknik do të punojmë me përkushtim për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese dhe për t’i arritur objektivat e klubit në sezonin e ri. Jam i bindur se, me punën dhe angazhimin e gjithësecilit në klub, do t’u sjellim shumë suksese tifozëve tanë “Legjendat” dhe gjithë qytetit tonë. Na priftë e mbara të gjithëve.”
