Një pasagjer grek, i evakuuar nga anija turistike ku shpërtheu virusi Hanta, është vendosur në karantinë në Spitalin e Përgjithshëm Universitar Attikon në Athinë. Pasagjeri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, nuk ka shfaqur asnjë simptomë të sëmundjes, sipas zyrtarëve grekë.

Pasagjerët u evakuuan të dielën nga anija “MV Hondius” pasi ajo mbërriti në Tenerife, ishullin më të madh në arkipelagun spanjoll të Ishujve Kanarie. Pasagjeri grek ishte mes 26 personave të transferuar drejt Eindhovenit, Holandë, të dielën në mbrëmje, me një fluturim evakuimi holandez. Nga atje, ai u transportua në aeroportin ushtarak të Elefsinës me një avion C-130 të Forcave Ajrore Greke, nën mbikëqyrje mjekësore, përpara se të dërgohej në spital. Ai do të qëndrojë në karantinë për 45 ditë në një dhomë izolimi me presion negativ, të përgatitur posaçërisht.

Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, deklaroi në një postim në rrjetet sociale se pasagjeri nuk ka shfaqur asnjë shenjë apo simptomë të infeksionit, duke shtuar se vendosja e tij në karantinë është një masë paraprake. “Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t’u shqetësuar,” theksoi ai.

Deri më tani, të paktën gjashtë persona në bordin e anijes kanë rezultuar pozitivë me virusin, përfshirë një pasagjer amerikan të evakuuar, i cili, ndonëse pozitiv, mbetet asimptomatik. Që nga fillimi i shpërthimit, tre persona kanë humbur jetën, mes tyre një pasagjer.