Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shqyrtim, duke kundërshtuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
Përfaqësues të PDK-së, përfshirë kryetarin e Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputetin Përparim Gruda dhe avokatin Faton Fetahu, kanë deponuar zyrtarisht kërkesën pranë Gjykatës.
PDK-ja kishte paralajmëruar më herët se do ta dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se mënyra se si është zhvilluar procesi i konstituimit të Kuvendit ka qenë i parregullt.
Partia ka bërë të ditur se kërkesa e saj drejtuar Gjykatës përfshin gjithashtu edhe çështjen e ligjshmërisë së formimit të Qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Qeveria Kurti u votua të dielën në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Në votim morën pjesë 70 deputetë, ndërsa 62 prej tyre votuan pro kabinetit të ri qeveritar.
