Opozita kërkon trajtim dinjitoz për Policinë dhe Forcat e Sigurisë: Pensionet dhe kushtet e punës mbeten shqetësuese
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë ngritur sërish shqetësimin për kushtet e punës dhe pensionet e zyrtarëve policorë, si dhe të gjithë stafit të sigurisë, duke i cilësuar ato si të padenja dhe të pamjaftueshme. Ato kërkojnë një trajtim dinjitoz për këtë kategori thelbësore.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar angazhimin e saj për të vazhduar insistimin që punonjësit e sigurisë dhe mbrojtjes të trajtohen me dinjitet. Kjo përfshin jo vetëm kushtet bazike të punës si veshmbathja dhe orët jashtë orarit, por edhe mbrojtjen shëndetësore e jetësore, si dhe trajtimin pas pensionimit. Ajo theksoi se një shtet i sigurt është një shtet ku personeli i sigurisë trajtohet si duhet, veçanërisht duke marrë parasysh rrezikun e përditshëm me të cilin përballen.
Kabashi-Ramaj e ka vlerësuar si çështje urgjente adresimin e pensioneve të policëve, duke i cilësuar ato si të padenja. Sipas saj, edhe pjesëtarët e shërbimit inteligjent duhet të kenë një trajtim të duhur pas pensionimit, për të mos u bërë pre e armiqve potencialë të vendit, pas një shërbimi kaq të përkushtuar.
Ajo shtoi se angazhimi për përmirësimin e kushteve të personelit të sigurisë dhe mbrojtjes do të mbetet prioritet për të dhe PDK-në, sikurse edhe në mandate të mëparshme. Deputetja kujtoi se ka propozuar amendamente në buxhet dhe në Ligjin për Sigurime Shëndetësore për të siguruar mbrojtjen shëndetësore dhe jetësore, por këto nisma dështuan për shkak të mungesës së mbështetjes nga deputetët e mazhorancës, konkretisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo shtoi se sfida të jashtëzakonshme kanë Policia e Kosovës, ushtria (FSK), Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, zjarrfikësit, si dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, në një intervistë për Ekonomia Online, shprehu shqetësimin për mungesën e uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për policët. Ajo theksoi se kjo çështje është ngritur vazhdimisht, por pa marrë vëmendjen e duhur nga Qeveria. Kadrijaj vuri në dukje se policët shpesh detyrohen të blejnë pjesë të uniformës me pagat e tyre, si këmisha apo këpucë, për të vazhduar punën.
Kadrijaj bëri thirrje që institucionet të reflektojnë dhe të sigurojnë kushte të përshtatshme për pjesëtarët e Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, duke i pajisur me uniforma dhe mjetet adekuate për një forcë moderne. Ajo theksoi se e njëjta vlen edhe për Shërbimin Korrektues, zjarrfikësit dhe të gjitha kategoritë që janë në krye të detyrës kur vendi ka nevojë, duke shtuar se ata duhet të trajtohen me dinjitet, si forca mbrojtëse e vendit.
