Si vendoset se kush është futbollisti më i mirë në botë? A u jepet peshë e barabartë paraqitjeve në nivel klubesh dhe me kombëtaren? Çfarë është më e rëndësishme, Liga e Kampionëve apo Kupa e Botës? Këto janë disa nga çështjet që duhet t’i marrin parasysh 100 gazetarë ndërkombëtarë të sportit, të cilët kanë për detyrë ta zgjedhin fituesin e Topit të Artë 2026.
Megjithatë, një gjë është e qartë: periudha kohore mbi bazën e së cilës duhet të vlerësohen paraqitjet e një lojtari.
Për Topin e Artë 2026, duhet të merren parasysh vetëm paraqitjet nga 3 gushti 2025 deri më 19 korrik 2026. Nëse diçka ka ndodhur qoftë edhe një ditë para ose pas kësaj periudhe, atëherë duhet harruar sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Të paktën, kjo është teoria.
Kjo do të thotë se arritjet e realizuara afërsisht para fillimit të sezonit evropian 2025/26 nuk kanë rëndësi. Për shembull, Botërori i Klubeve 2025 u mor parasysh për Topin e Artë 2025, nëse jeni të mendimit se ai turne duhej të merrej veçanërisht seriozisht.
Ndoshta edhe më e rëndësishme është se juria nuk duhet të marrë parasysh asnjë paraqitje pas ditës së finales së Kupës së Botës 2026. Lionel Messi mund të kishte pasur më shumë gjasa për ta fituar çmimin e nëntë, nëse dita paraprake do të ishte caktuar si kufiri kohor.
Edhe forma e argjentinasit me Inter Miamin gjatë muajve të parë të vitit 2025, kur skuadra e fitoi për herë të parë MLS Cup, nuk ka asnjë rëndësi për Topin e Artë 2026.
Lamine Yamal, i cili nuk pati një Botëror të mirë në aspektin individual, pasi u rikthye me nxitim nga lëndimi, ka qenë në formë të jashtëzakonshme me Barcelonën në fillim të sezonit 2026/27. Megjithatë, teorikisht, kjo nuk llogaritet fare.
Po ashtu, 16 golat dhe shtatë asistimet e Messit në 14 ndeshjet e fundit me Inter Miamin nuk duhet të ndikojnë në vendimin e asnjë votuesi.
Rastësisht, bashkëlojtari i Yamalit te Barcelona, Raphinha, ndoshta lojtari më në formë që nga përfundimi i Botërorit, me 14 gola në 10 paraqitje, nuk është përfshirë as në listën e ngushtë prej 30 futbollistësh.
Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të mbahet të hënën, më 26 tetor, në teatrin “London Palladium”, në Angli.
Gala mbrëmja do të nisë në orën 21:00, ndërsa do të drejtohet nga dyshja e “CBS Sports”, Kate Scott dhe Thierry Henry./GazetaExpress/
