Ministria e Shëndetësisë publikon të dhëna të reja për të lënduarit në protestë: Katër persona janë paraqitur në spitale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shpërndarë informacione të përditësuara lidhur me personat e lënduar gjatë protestës së të dielës. Këto të dhëna bazohen në raportimet paraprake nga institucionet spitalore.

Sipas njoftimit, i cili u publikua në orën 19:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej tre të lënduar: dy protestues dhe një punonjës policie.

Dy prej tyre, konkretisht njëri prej protestuesve dhe punonjësi i policisë, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali. Ndërkohë, protestuesi tjetër vijon të jetë i shtruar për kujdes të mëtejshëm.

Gjithashtu, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur edhe një tjetër punonjës policie, i cili aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore.