**Tragjedia në Vjenë: Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në kërkim të një jete më të mirë**

Tre shtetas kosovarë – Pajtim Bajrami, Istref Zekaj dhe Asllan Musliu – humbën tragjikisht jetën më 17 mars në Vjenë, si pasojë e një aksidenti në vendin e punës. Ata, si mijëra bashkatdhetarë të tjerë, ishin larguar nga Kosova me shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe për të mbështetur familjet e tyre, duke punuar dhe kursyer me zell. Vdekja e tyre e papritur ka tronditur thellë familjet dhe të afërmit, të cilët tani ndajnë kujtimet e tyre për tre burrat.

**Pajtim Bajrami: “Ai është heroi i familjes”**

Pajtimi përshkruhet nga familjarët si një njeri i gëzueshëm, që gjithmonë sillte të qeshura, një vëlla i pandarë dhe një baba i dashur, të cilin dy vajzat e tij e prisnin çdo mbrëmje me padurim.

Vëllai i tij, Bekriu, një vit e gjysmë më i madh, tregon me dhimbje: “Kurrë s’më është ndarë. Kemi punuar, kemi kaluar kohën dhe kemi qenë gjithmonë bashkë.” Të dy vëllezërit kishin ndërtuar jetën e tyre në Austri. Bekriu jetonte prej rreth nëntë vitesh në Vjenë, ndërsa Pajtimi kishte emigruar fillimisht në Gjermani në moshën 17-vjeçare. Pas marrjes së nënshtetësisë, ai vendosi të bashkohej me vëllain në Vjenë.

“Ishte gëzim i madh kur erdhi. U bëmë edhe më të afërt. Udhëtonim gjithmonë bashkë për në Kosovë,” kujton Bekriu. Nga fëmijëria, ku shkonin bashkë në shkollë, deri te jeta në Vjenë, ku kalonin edhe fundjavat me familjet e tyre, Bekriu ndau 36 vjet të jetës me Pajtimin. “Gjumash ka qenë. Kur shkonim në shkollë, më kapej për xhaketë e thoshte ‘po i mbyll sytë edhe pak’,” kujton Bekriu me një buzëqeshje të hidhur.

Pavarësisht viteve larg vendlindjes, Pajtimi mbante lidhje të ngushta me të gjithë familjarët. Axha i tij, Ademi, dëshmon: “Nuk ka shkuar java pa më telefonuar. Ka qenë shumë humorist, i afrueshëm dhe nuk ka pasur qejf ta shihte askënd të hidhëruar.” Ngjashëm e përshkruan edhe halla e tij, Zyra, e cila shton: “Sa herë ka ardhur, më ka telefonuar e më ka ftuar. Më thoshte ‘sa të rri unë këtu, edhe juve – hallat e mia – dua t’ju shoh këtu’. Ka qenë shumë i hareshëm.”

Prindërit e Pajtimit, të cilët e kanë të vështirë të flasin për dhimbjen, kujtojnë ëndrrën e djalit të tyre për t’u kthyer sa më shpejt në Kosovë. Babai tregon se Pajtimi priste vetëm përfundimin e fasadës së shtëpisë për t’u rikthyer përfundimisht në vendlindje. Familjarët theksojnë se Pajtimi e kishte lënë Kosovën vetëm për shkak të kushteve të punës dhe dëshirës për të ndihmuar familjen. “Ai nuk ka shkuar për diçka të keqe,” thotë axha i tij. “Ka shkuar për punë, për familje. Në njëfarë forme, është heroi i familjes.” Pas tij, Pajtimi la dy vajza të vogla, pesë dhe dy vjeçe.

**Istref Zekaj: “Zemrën e ka pasur mal për të gjithë”**

Istref Zekaj kishte kaluar mbi dy dekada në Austri, por për familjen e tij, ai mbeti gjithmonë vëllai i qetë, punëtori i palodhur dhe njeriu i gatshëm për të dhënë gjithçka për të tjerët.

Motra e tij, Feridja, thekson: “Kemi shumë kujtime të ëmbla… prej fëmijërisë e deri në momentin kur ndërroi jetë.” Ajo shton se Istrefi, gjashtë vjet më i vogël se ajo, kurrë nuk i kishte shkaktuar asnjë zhgënjim: “Kam dëshirë të kujtoj diçka të keqe… që ta kem një arsye mos të qaj. Por, kurrë s’na ka ndodhur diçka e keqe me të.”

Istrefi emigroi nga Kosova 22 vjet më parë, duke ndjekur rrugën e shumë bashkatdhetarëve të tjerë. Ai dhe tre vëllezërit e tij më të mëdhenj ishin larguar njëri pas tjetrit për të ndërtuar një jetë larg vendlindjes. Në Vjenë, Istrefi krijoi familje me bashkëshorten Besa dhe u bë baba i dy vajzave, tetë dhe pesë vjeçe. “Do t’u tregoj vajzave se ai ka qenë shembulli i babait më të mirë, vëllait më të mirë, njeriut më të mirë,” thotë Feridja.

Vëllai tjetër, Zeka, e kujton me fjalët: “Zemrën e ka pasur mal për të gjithë. Na ka ndihmuar, na ka siguruar gjithçka që na ka munguar.” Edhe Zeka shpesh largohet nga Kosova për punë, duke punuar herë pas here në Austri, por jo në Vjenë. “Çdo vikend më thoshte: ‘Hajde Zekë në Vjenë, pimë çaj bashkë. Mos u frikëso se nuk humb, të marr unë’,” kujton Zeka me mall.

Familja e tyre e madhe, me gjashtë vëllezër dhe dy motra, do ta kujtojë Istrefin gjithmonë si një njeri që jetoi për të ndihmuar të tjerët. “Ka vdekur me kolegët e tij, duke punuar për familjen, për bukën e gojës,” thotë Zeka, duke kujtuar si një nga kujtimet më të hershme, ditët e fëmijërisë kur ishin të pandarë, madje edhe duke mbjellë e ngrënë fshehurazi shalqinj në ara.

Rasti i Pajtimit dhe Istrefit pasqyron realitetin e qindra mijëra qytetarëve kosovarë që gjatë dekadave të fundit kanë emigruar nga vendlindja. Trendi i largimit ka vazhduar edhe në vitet e fundit, me dhjetëra mijëra persona që çdo vit kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit. Mungesa e vendeve të punës dhe kushtet më të mira të jetesës në vendet e Evropës Perëndimore mbeten arsyet kryesore të kësaj dukurie masive.