Udhëheqësi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, njëkohësisht prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, së bashku me zyrtarin e deleguar nga Policia e Kosovës dhe zyrtarin nga Administrata Tatimore e Kosovës, zhvilluan një takim me përfaqësuesit e Institutit të Bazelit Zviceran, Peter Ëilson, Stephen Ratcliffe dhe Lala Zinkevych.

Përmes një komunikate për media u bë e ditur se gjatë takimit u diskutua për strukturën aktuale ligjore dhe administrative të Zyrës për Rikthimin e Aseteve (ZRA), rastet që trajtohen nga ARO-ja, treguesit e menaxhimit të performancës, natyra dhe lloji i mbështetjes që do të kërkohet nga ICAR (Qendra Ndërkombëtare për Rikuperimin e Pasurisë), si dhe planet e ARO-së për 24 muajt e ardhshëm.

Ndër të tjera prokurori Hyseni i informoi përfaqësuesit mbi draftimin e koncept-dokumentit për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Rikthimin e Aseteve, si dhe u zhvillua diskutim lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fushën e rikthimit të aseteve.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e Institutit të Bazelit Zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Zyrës për Rikthimin e Aseteve, me qëllim rritjen e efikasitetit institucional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për rikthimin e aseteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera.