Reperi i njohur Don Xhoni ka tërhequr vëmendjen ditët e fundit pas publikimit të albumit të tij më të ri, të titulluar “100%”.

Para nxjerrjes zyrtare të këngëve, artisti arriti të ngjallë interes të madh përmes një fushate unike promovuese. Ai zhvilloi udhëtime me makinë së bashku me figura të njohura të skenës dhe ekranit, si Adelina Ismaili, Vedat Bajrami, Elijona dhe personalitete të tjera publike, duke e shndërruar promovimin e albumit në një nga temat më të diskutuara të javës.

Ekipi i emisionit “Prive By Liberta Spahiu” ishte i pranishëm në eventin promovues, ku siguroi detaje nga prapaskenat, projekti muzikor dhe jeta personale e reperit.

Krahas suksesit të albumit, një nga pyetjet që zgjoi më shumë kureshtje lidhej me Loredana Bratin, ish-konkurrenten e “Big Brother VIP Albania”. Duke qenë se shumë fytyra publike u bënë pjesë e videove promovuese në makinë, Don Xhoni u pyet pse nuk ishte realizuar një video e tillë edhe me Loredanën.

Reperi iu përgjigj pyetjes me respekt, duke nënkuptuar se marrëdhënia mes tyre është e mirë.

“Loredana është shumë mirë, shumë e sjellshme. Kam shumë respekt për të. Marrëdhënia sot me të është shumë e mirë, ajo është një vajzë shumë e mirë dhe i uroj gjithë të mirat”, deklaroi Don Xhoni, sipas ‘Prive by Liberta Spahiu’.

Me këtë deklaratë, artisti duket se ka zbardhur marrëdhënien me Loredanën, duke e përshkruar atë si një lidhje të bazuar në respekt dhe miqësi.

Vlen të theksohet se Don Xhoni dhe Loredana Brati ishin ndër emrat më të diskutuar në mediat rozë gjatë verës së kaluar. Afrimiteti i mundshëm i dyshes u komentua gjerësisht, dhe nga fansat u interpretua si diçka më tepër se një miqësi.

Komentet dhe ndërveprimi i shpeshtë në Instagram, si dhe një video e përbashkët që u përhap shpejt në rrjet, shtuan dyshimet dhe diskutimet rreth tyre.

Megjithatë, nga deklarata e fundit e Don Xhonit, duket se mes tyre ka mbetur një marrëdhënie korrekte, me respekt të ndërsjellë, ndërsa zërat për një lidhje romantike kanë mbetur në kuadrin e thashethemeve.