Mesfushori i Manchester Cityt dhe kombëtares së Spanjës, Rodri, ka zbuluar disa detaje interesante nga jeta e tij personale dhe karriera, duke treguar mes të tjerash edhe personin me të cilin do të dëshironte të darkonte.

Në një intervistë për gazetën spanjolle “Mundo Deportivo”, Rodri nuk pati dilema kur u pyet për modelin e tij në futboll.

“Sergio Busquets”, ishte përgjigjja e tij.

Spanjolli e cilësoi Liverpoolin e drejtuar nga Jurgen Klopp si kundërshtarin më të vështirë me të cilin është përballur gjatë karrierës, ndërsa Pep Guardiolën e zgjodhi si trajnerin më të mirë me të cilin ka punuar.

Kur u pyet për një kundërshtar që njëkohësisht e konsideron mik, Rodri përmendi mbrojtësin e Athletic Bilbaos, Dani Vivian.

Nëse do të mund të zgjidhte një vend ku do të dëshironte të ishte, përgjigjja e tij ishte Manchesteri.

Fituesi i “Topit të Artë” foli gjithashtu për anët e tij të forta dhe dobësitë në karakter.

“E meta ime është se kam personalitet të fortë dhe temperament të mprehtë. Cilësia ime është se jam gjithmonë i gatshëm të dëgjoj dhe të përmirësohem”, deklaroi ai.

I pyetur se çfarë titulli do të dëshironte të lexonte një ditë për veten, Rodri theksoi rëndësinë që kanë për të fëmijët dhe brezat e rinj.

“Nuk e di nëse mund të konsiderohet titull, por fëmijët dhe brezat e rinj kanë shumë rëndësi për mua, po ashtu edhe mundësia për t’u transmetuar atyre gjëra të rëndësishme. Në Manchester kam punuar me një fondacion që kujdeset për fëmijët”, tha ai.

Një nga pyetjet më interesante ishte se me cilën figurë të njohur nga historia do të dëshironte të darkonte.

Përgjigjja e Rodrit ishte e shkurtër: “Zidane”.

Zinedine Zidane konsiderohet një prej figurave më të mëdha në historinë e Real Madridit, si futbollist dhe më pas si trajner.

Në fund, Rodri zbuloi edhe ëndrrën më personale që ende nuk e ka realizuar.

“Të bëhem baba”, përfundoi mesfushori spanjoll. /GazetaExpress/