**Përplasje tramvajesh në Gjermani: Mbi 20 të plagosur, 3 në gjendje kritike**
Mbi 20 persona u plagosën, tre prej tyre në gjendje kritike, si pasojë e përplasjes së dy tramvajeve në qytetin e Gelsenkirchenit, Gjermani.
Sipas informacioneve paraprake, një tramvaj ishte ndaluar në një pjesë të hapur të linjës, kur u godit nga një tramvaj tjetër i mbushur me pasagjerë.
Policia njoftoi se rreth 25 persona u lënduan në aksident. Shtatë prej tyre pësuan dëmtime të rënda, ndërsa gjendja e tre të plagosurve mbetet kritike dhe nuk përjashtohet rreziku për jetën. Të lënduarit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalet e zonës.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të panjohura. Autoritetet kanë ngritur një ekip të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat e përplasjes dhe për të përcaktuar pse tramvaji i parë ishte ndaluar në mes të shinave.
Pas ngjarjes, një pjesë e bulevardit Kurt-Schumacher u mbyll në të dy drejtimet, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, ndërsa më vonë u rihap vetëm një korsi.
Në vendngjarje mbërritën dhjetëra ekipe shpëtimi, ambulanca dhe psikologë, të cilët ofruan ndihmë për pasagjerët dhe personat e prekur. Kryebashkiakja e Gelsenkirchenit, Andrea Henze, e cilësoi ngjarjen si “një tronditje absolute”, pasi pa nga afër dëmet e shkaktuara brenda njërit prej tramvajeve.
