**Picula: Serbia të hapë arkivat e luftës dhe të japë informacione për të zhdukurit**
Eurodeputeti kroat Tonino Picula i ka bërë thirrje Serbisë të hapë arkivat e luftës dhe të japë informacione konkrete mbi fatin e personave të zhdukur gjatë konfliktit në Kroaci.
Nëpërmjet një reagimi në platformën sociale X, Picula theksoi se Vukovari ishte viktimë e agresionit të regjimit të Slobodan Millosheviqit, fakt ky i vërtetuar pa mëdyshje edhe nga gjykatat ndërkombëtare.
Ai foli për rezolutën mbi shkatërrimin e Vukovarit, e cila u diskutua në Parlamentin Evropian. Picula shpjegoi se kjo rezolutë nuk synon thellimin e ndarjeve të vjetra, por synon të kontribuojë në përcaktimin e së vërtetës dhe mbylljen e plagëve të luftës që ende mbeten të hapura.
Picula vuri në dukje se më shumë se 1.700 familje ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur.
Ai shtoi se përballja me të kaluarën është një komponent thelbësor i rrugës evropiane dhe se kujtimi për Vukovarin duhet të qëndrojë i bazuar në të vërtetën dhe respektin për të gjitha viktimat.
Së fundmi, eurodeputeti kroat paralajmëroi se paqja në Evropë nuk është e mirëqenë, duke përmendur si shembull edhe luftën në Ukrainë.
