Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur sot në protestë, ky u plagos deputeti Kliti Hoti. AMP deklaron se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë nisur hetimet për rastin, ndërkohë që deputeti Hoti u qëllua me plumb gome nga një distancë e afërt.
Deklarata e AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka nisur kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur sot, më datë 29.11.2026, pranë Hotel Dajtit.
Në këtë ngjarje, shtetasi Kliti Hoti, 56 vjeç, deputet i Partisë Demokratike, dyshohet se është goditur me plumb gome në shpinë.
AMP mbetet e angazhuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore për verifikimin dhe hetimin e çdo rasti që lidhet me veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Partia Demokratike ka identifikuar efektivin e policisë, që qëlloi me plumb gome ditën e sotme deputetin Kliti Hoti gjatë protestës. Në një reagim, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi shkruan se efektivi është Ersild Alliu, i cili më herët u pezullua nga detyra.
Bardhi shprehet se Prokuroria e Tiranës ka detyrimin të veprojë urgjentisht dhe të arrestojë efektivin Alliu, të cilin e akuzon për tentativë vrasjeje.
