Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, i cili u kap “mat” nga kamerat duke shkruar se Presidenti do të zgjidhej me “karate”, ka thyer heshtjen, shkruan Insajderi.

Në një sqarim që duket sa i habitshëm aq edhe i sforcuar, Bardiqi ka pretenduar se e gjithë biseda ishte nxjerrë nga konteksti dhe lidhej me një ftesë për ditëlindje.

Bardiqi u shpreh se seancat e gjata e kishin privuar nga aktivitetet private dhe se mesazhi ishte pjesë e një komunikimi me miqtë për një festë ku nuk po mund të merrte pjesë.

“Kam qenë i ftuar para 2-3 jave në një ditëlindje dhe kam shkruar se nuk mund të vij… Përdorimi i shkurtesave në komunikime është një formë ku shpërqendrohesh, por për të mos u shpërqendruar në seancë. Ndoshta kam përdorur zhargon jo popullor, por privat. Konsideroj që është cenim i privatësisë”, deklaroi Bardiqi në Debat Plus.