Dy persona janë arrestuar në Podujevë nën dyshimin se ishin përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë një aksioni të zhvilluar të hënën, të dyshuarit u kapën në flagrancë duke u kujdesur për një plantacion me 201 bimë të dyshuara të llojit kanabis.

Sipas policisë, pas arrestimit janë kryer edhe bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku në njërën prej tyre është gjetur një sasi e vogël marihuane prej 1.7 gramësh.

Një pjesë e bimëve janë marrë për ekzaminim, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për procedura të mëtejshme hetimore. /Gazerta Express

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës, respektivisht DHTN- Prishtinë, pas dyshimeve për përfshirjen e personave të dyshuar
në kultivimin e bimëve të llojit Kanabis Sativa në Podujevë, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore
të cilat kanë rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar.
Me datën 06.07.2026 nga njësitë përkatëse policore është realizuar një plan taktik ku janë identifikuar dhe lokalizuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë zënë në flagrancë duke u përkujdesur për bimët e dyshuara të mbjellura në një plantacion, në sasi prej 201 copësh. Lidhur me rastin është informuar prokurori kompetent, në konsultim me të cilin janë marrë mostra të nevojshme nga bimët e mbjella, ndërsa pjesa tjetër e tyre është shkatërruar në vendin e ngjarjes. Po ashtu me qëllim të sigurimit të provave relevante për rastin, janë kryer dy bastisje në shtëpitë e të dyshuarve të lartcekur, me çrast në njërën nga to është gjetur një qese e vogël e mbushur me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë në peshë prej 1.7 gramë. Në vendngjarje është bërë fotografimi dhe konfiskimi i dëshmive të gjetura si prova materiale, ndërsa të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.