**Hamasi shpërbën qeverinë në Gaza, kërkon zbatim të planit të paqes**

Grupi militant palestinez Hamas njoftoi të hënën se ka shpërbërë administratën e tij në Rripin e Gazës, si pjesë e një përpjekjeje për t’i hapur rrugë zbatimit të një plani paqeje.

Sipas njoftimit, grupi po përgatitet t’ia dorëzojë drejtimin një komiteti teknik të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Hamasi nuk ka sqaruar nëse planifikon të ndërmarrë hapin thelbësor të çarmatimit apo t’ia kalojë përgjegjësinë për sigurinë një force ndërkombëtare.

Grupi theksoi se ky vendim tregon angazhimin e tij për rindërtimin e Gazës pas viteve të konfliktit, raporton CNN.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Ismail Al-Thawabta, drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Medias nën administrimin e Hamasit, deklaroi se stafi teknik dhe profesional do të vazhdojë punën në institucionet publike, për të siguruar funksionimin normal të përditshëm në Gaza.

Al-Thwabta bëri thirrje: “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara dhe përkatëse që të përshpejtojnë menjëherë hapat që Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) të marrë shpejt përsipër detyrat dhe përgjegjësitë e tij kombëtare dhe administrative, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së popullit tonë fisnik palestinez dhe shërimin e plagëve të tyre.” Këtë deklaratë e bëri në Spitalin e Martirëve Al-Aksa në Qytetin e Gazës.

Bordi i Paqes, i krijuar nga administrata Trump për të monitoruar zbatimin e planit, e mori në konsideratë vendimin e Hamasit.

Në një deklaratë në platformën X, bordi i bëri thirrje Hamasit të çarmatoset, duke theksuar: “Parimi thelbësor mbetet një autoritet, një ligj dhe një armë.”