Policia zbulon pajisje ushtarake të fshehura në puset në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një patrullimi rutinë në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicë të Veriut, ka zbuluar pajisje ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi.

Sipas njoftimit policor, zyrtarët e Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, rreth orës 13:30, vërejtën një puset të hapur gjatë kryerjes së detyrave të tyre të rregullta. Gjatë inspektimit, ata gjetën një qese të zezë plastike, e cila ngjalli dyshime.

Pas nxjerrjes dhe kontrollit të qeses, u gjetën disa pajisje dhe veshje ushtarake, mes të cilave: pesë kapela ushtarake jeshile, dy jelekë ushtarakë me vende për municion, një rrip ushtarak, çanta për karikatorë dhe pajisje të tjera me përdorim ushtarak.

Prokurori i shtetit, i cili është njoftuar për rastin, ka udhëzuar që për momentin të mos hapet procedurë penale.

Pajisjet e sekuestruara janë marrë në dorëzim, ndërsa hetimet vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimit të personave të mundshëm të përfshirë.