Policia e Kosovës ka kryer bastisje në një kafiteri në Prizren, mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 20:40. Ky kontroll u realizua nën dyshimin se pronarët e lokalit, dy vëllezër, shpërndanin narkotikë dhe mbanin armë zjarri.

Gjatë bastisjes, në lokal ishte i pranishëm i dyshuari D.P., 29 vjeç. Gjatë kontrollit, u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë e markës “SIG” me 9 fishekë. Policia bëri të ditur se nuk u gjetën narkotikë.

I dyshuari D.P. u intervistua për veprën penale të “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas neneve 267 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

Aksioni u realizua nga hetuesit e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në Prizren, me asistencën e njësive të tjera të Stacionit Policor të Prizrenit. Ata zbatuan një urdhëresë për kontroll të befasishëm, lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.