Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët se më 24 dhe 25 korrik 2026, për shkak të mbajtjes së një koncerti në “Prishtina Mall”, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut.
Për të lehtësuar qarkullimin dhe shmangur bllokimet, Policia u bën thirrje qytetarëve që udhëtojnë në aksin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas, të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi” si një alternativë për të shmangur vonesat.
Për pjesëmarrësit në koncert, janë vënë në dispozicion autobusë falas nga Trafiku Urban, të cilët do të qarkullojnë nga Prishtina drejt “Prishtina Mall” dhe në drejtim të kundërt.
Ndërkohë, për automjetet që vijnë nga Prishtina në drejtim të “Prishtina Mall”, pas rrethrrotullimit të Marigonës do të vendosen kona në korsinë e majtë, e cila do të jetë e rezervuar posaçërisht për vizitorët e koncertit.
Gjithashtu, për automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt drejt “Prishtina Mall”, do të vendosen kona në korsinë e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët do të bëhet përmes rrugicës në të djathtë, para se të arrihet te rrethrrotullimi i “Prishtina Mall”.
