Policia Pyjore e Shkupit konfiskon sasi të madhe drunjsh të vjedhur në Haraçinë
**Haraçinë, 25 prill** – Policia Pyjore e Shkupit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe punonjës të Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare” – dega “Babuna” nga Velesi, ka realizuar gjatë ditës së sotme një aksion të gjerë në Haraçinë, ku është konfiskuar një sasi e madhe drunjsh të vjedhur, të destinuar për ngrohje.
Lajmin e bëri të ditur zëvendësdrejtori i përgjithshëm i NP “Pyjet Kombëtare”, Kirе Mihajllov, i cili theksoi se gjatë aksionit pati momente tensioni, por veprimi u finalizua me sukses.
“Gjatë konfiskimit në Haraçinë, për një çast situata ishte e tensionuar, por pjesëtarët e MPB-së dhe shërbimet e tjera e kryen detyrën e tyre me profesionalizëm. E gjithë sasia e druve të zjarrit është konfiskuar dhe është nisur drejt depove tona në Veles,” deklaroi Mihajllov.
Ai shtoi se ndaj të gjithë personave të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme do të ndërmerren masat e nevojshme ligjore dhe do të ngrihen kallëzimet përkatëse.
Mihajllov theksoi prerazi se “Nuk ka kohë apo vend në territorin e Maqedonisë ku vjedhësit e druve apo bashkëpunëtorët e tyre do të amnistohen, pavarësisht se kush janë.”
