Policia e Kosovës ka sekuestruar armë zjarri në tri raste të ndara në Gjakovë dhe Malishevë. Dy nga këto incidente u regjistruan pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri.

Në fshatin Mleqan të Malishevës, pas të shtënave të regjistruara gjatë një feste familjare, policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz, 15 fishekë dhe 13 gëzhoja.

Ndërkaq, në fshatin Bitesh të Gjakovës, pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, u gjetën tre gëzhoja dhe u dorëzua një pistoletë me 75 fishekë.

Po ashtu, në fshatin Tërpezë të Malishevës, gjatë një patrullimi rutinë, policia ndaloi një person në posedim të një arme të gjatë. Personi në fjalë e dorëzoi armën vullnetarisht, së bashku me tetë fishekë dhe një karikator.

Policia u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve të zjarrit dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë autoriteteve policore.