Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se reforma në drejtësi, gjatë periudhës janar-qershor 2026, ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete. Ky konstatim vjen pasi asnjë projektligj i pakos së drejtësisë nuk ishte miratuar deri më 30 qershor.
Gjatë prezantimit të gjetjeve të monitorimit, Vullnet Bugaqki nga KDI theksoi se Projektligji për Byronë kishte kaluar vetëm leximin e parë, ndërsa procesi i Vettingut nuk kishte shënuar rezultate të prekshme. Ai shtoi se raporti ka nxjerrë në pah edhe mungesa në transparencën e konsultimeve publike, veçanërisht lidhur me mosarsyetimin e rekomandimeve dhe komenteve të refuzuara nga Ministria.
Bugaqki theksoi rëndësinë thelbësore të zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të cilat synojnë forcimin e integritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit, parandalimin e politizimit në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë dhe shmangien e bllokadave në funksionimin e tyre. Ai shtoi se, megjithëse raporti nuk ka identifikuar prova të qarta për hartimin e projektligjeve nën ndikim politik, ai ka vënë në dukje rreziqe strukturore që kërkojnë garanci më të forta kundër ndërhyrjeve ekzekutive dhe legjislative.
Nga ana tjetër, Florent Spahija nga KDI u ndal te ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), vështirësitë në zbatimin e reformës dhe kostot financiare. Sipas tij, KPK-ja ka pësuar një zvogëlim drastik të anëtarëve, nga 30 në shtatë, brenda një viti. Zgjedhja e disa anëtarëve nga Kuvendi ka ngritur shqetësime për një ndikim të mundshëm politik, pavarësisht se ligji i ri parashikon mekanizma mbrojtës.
Spahija përmendi gjithashtu vështirësitë fillestare në funksionimin e KPK-së, siç ishin dështimi i mbledhjeve për shkak të mungesës së kuorumit në janar dhe shkurt, si dhe kontestimi gjyqësor i zgjedhjeve të anëtarëve prokurorë. Kjo, sipas tij, tregon mungesën e një plani të qartë për trajtimin e problemeve që lindin nga zbatimi i reformës.
Në fund, Spahija ngriti shqetësimin për kostot financiare të reformës. Analiza e KDI-së tregon se vetëm për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nevojiten së paku 1.2 milionë euro, pa përfshirë shpenzimet e tjera operacionale.
