Policia shpall në kërkim 22-vjeçaren nga Samadrexhë, dyshohet për trafik droge

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një 22-vjeçare, Blerina Maloku, nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë. Ajo dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Përmes një njoftimi për media, Policia ka bërë publike edhe foton e të dyshuarës. Kjo masë vjen pas autorizimit të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, e cila i ka kërkuar Policisë së Kosovës, Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, të publikojë pamjet e personit në kërkim.

Maloku dyshohet se, duke vepruar si bashkëkryerëse, ka kryer veprën penale të lartpërmendur. Personi i kërkuar është Blerina Maloku, e lindur më 21 shkurt 2004, me vendbanim në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.