Portieri i mirënjohur francez flet për emocionet e tërheqjes nga futbolli: Ishte shumë e vështirë!

Steve Mandanda ka bërë një rrëfim emocional në lidhje me përfundimin e karrierës së tij, duke pranuar se largimi nga futbolli i nivelit të lartë ka qenë shumë më i vështirë sesa e kishte imagjinuar.

Ish-portieri francez tregoi se momenti kur gjithçka mori fund e preku thellësisht emocionalisht, pasi kuptoi se po mbyllte një kapitull të madh prej 25 vitesh në futboll.

“Kur gjithçka ndaloi, ishte vërtet shumë e vështirë sepse e kuptova se nuk do të luaja më futboll në nivelin më të lartë dhe se po mbyllja një kapitull të gjatë prej 25 vitesh”, u shpreh Mandanda.

Francezi pranoi se, edhe pse e dinte që fundi po afrohej, ai nuk e kishte menduar realisht atë moment derisa ndodhi.

“Edhe pse e dija që po i afrohesha fundit, nuk mendoja për të. Kishte aq shumë emocione që më pushtuan”, shtoi ai.

Mandanda tregoi gjithashtu se ende ndjen nostalgji kur shikon ndeshje futbolli, duke kujtuar emocionet e kohës kur ishte pjesë aktive e lojës.

“Kur shikoj disa ndeshje, ndonjëherë ndiej nostalgji, duke menduar se do të doja të isha aty ose do të doja ta bëja atë pritje.”

Megjithatë, ai theksoi se me kalimin e kohës ndjenja e mungesës është zbutur, edhe pse ende ekziston.

“Malli është zbehur me kohën, por ende është aty”, përfundoi ish-portieri francez.