Posta shënon 70-vjetorin e pullës “Europa” me emision të ri filatelik

Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri pullash postare, me temë “Evropa”, dedikuar 70-vjetorit të pullës së parë me këtë emër. Ky emision shënon një përvjetor të rëndësishëm në historinë e bashkëpunimit filatelik evropian.

Pullat “EUROPA”, të lëshuara për herë të parë në vitin 1956 nga gjashtë shtete evropiane, janë kthyer në simbol të unitetit, paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të kontinentit.

Për shtatë dekada, këto pulla kanë pasqyruar vlerat e përbashkëta evropiane, duke bashkuar kulturën, historinë dhe identitetin e vendeve pjesëmarrëse përmes artit filatelik.

Posta njofton se tema e këtij viti për emisionet “EUROPA” i kushtohet pikërisht këtij përvjetori, duke theksuar rrugëtimin 70-vjeçar dhe rolin e këtyre pullave në afrimin e njerëzve dhe vendeve përmes komunikimit.

Ky emision i ri përfshin dy pulla postare, një bllok filatelik dhe një Zarf të Ditës së Parë, dhe do të jetë në qarkullim deri në shterimin e plotë të sasisë.