Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Evropës, duke e cilësuar si “anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian”.

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Costa iu drejtua qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se ata janë pjesë e së ardhmes evropiane. “Të dashur qytetarë të Kosovës, sot po ju drejtohem si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian,” tha ai.

Presidenti i Këshillit Evropian shpjegoi se Dita e Evropës feston projektin e përbashkët evropian, ku “anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi ndarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin.”

Ai theksoi se themeluesit e BE-së “vendosën të ndërtojnë një të ardhme paqeje, lirie dhe prosperiteti mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore.” Costa shtoi me bindje se: “Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian. Po bëhet shumë punë për ta bërë këtë realitet.”

Në fund të mesazhit, Costa i nxiti kosovarët të vazhdojnë punën drejt këtij qëllimi. “Ju keni të njëjtin destinacion si pjesa tjetër e rajonit – Bashkimin Evropian. Vazhdoni të punoni që kjo të bëhet realitet,” tha ai.

Duke përmbyllur fjalën e tij, Antonio Costa shprehu vizionin për një të ardhme të përbashkët: “Së bashku do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Evropa.”