Presidenca e Kosovës krijon profile të reja në rrjetet sociale: “Komunikimi institucional, jo mandate individuale”
**Prishtinë** – Presidenca e Kosovës ka njoftuar krijimin e profileve të reja zyrtare në rrjetet sociale. Ky hap synon të garantojë vazhdimësinë dhe qartësinë e komunikimit me qytetarët, duke e theksuar se komunikimi institucional nuk duhet të lidhet me mandate individuale.
Sipas njoftimit të Presidencës, ky vendim vjen pasi profilet ekzistuese janë marrë në administrim nga zyra e presidentes së mëparshme dhe për këtë arsye nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të institucionit. Presidenca thekson se institucionet publike duhet të kenë komunikim të qëndrueshëm, të qartë dhe me vijimësi, në shërbim të qytetarëve, pa u lidhur me mandate individuale.
Profilet e reja zyrtare do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni i Presidencës dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar nga ky institucion. Ky hap siguron që komunikimi zyrtar të mbetet i lidhur me institucionin, duke ruajtur dhe garantuar vazhdimësinë institucionale në funksion të informimit të publikut.
Presidenca ka theksuar se profilet në rrjetet sociale janë pronë e institucionit dhe do të mbeten në përdorim të tij, pavarësisht se kush ushtron funksionin e Presidentit/es.
