Prokuroria e Luzernit ka nisur një procedurë penale ndaj Granit Xhakës, kapitenit të kombëtares zvicerane, për dyshime rreth parregullsive në certifikatën e tij të vaksinimit kundër COVID-19.

Sipas mediave zvicerane, konkretisht “Blick”, autoritetet po shqyrtojnë nëse Xhaka ka marrë realisht vaksinën, apo nëse certifikata e tij është lëshuar në mënyrë të parregullt.

Çështja lidhet me një mjeke në Luzern, klinika e së cilës u kontrollua nga policia në vitin 2023. Gjatë kontrollit u sekuestruan materiale, të cilat tani janë pjesë thelbësore e hetimit.

Xhaka i ka mohuar akuzat. Përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, ka deklaruar se futbollisti zotëron dokumentacion nga mjekja në fjalë, që vërteton se ai është vaksinuar dy herë, më 25 janar dhe 11 nëntor 2022.

33-vjeçari pritet të intervistohet nga autoritetet zvicerane në fillim të muajit tetor.

Prokuroria theksoi se ky hetim synon të përcaktojë nëse ka pasur shkelje penale në lidhje me certifikatën, duke rikujtuar se për Xhakën dhe mjeken vlen prezumimi i pafajësisë.