Lidhur me raportimet e sotme për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, Zyra e Presidentes ka deklaruar se ftesa drejtuar Bashkimit Evropian nuk është injoruar.
Zyra e Presidentes thotë se ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, në të cilën theksohet se, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.
“Në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend.
Prandaj, paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve” thuhet në deklarim.
Tutje, nga Presidenca bëjnë me dije se ftesa e Haxhiut për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
“Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.
Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike” deklaron Presidenca.
