Kryeqyteti i Prishtinës do të bashkojë sonte artistë të njohur shqiptarë në koncertin gala “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina”. Ky eveniment, i organizuar nën patronazhin e Komunës, është pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, priti në takim organizatorët dhe artistët pjesëmarrës, duke u dhënë atyre mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre artistik.

Kryetari Rama theksoi rëndësinë e rolit të artistëve në zhvillimin dhe promovimin e jetës kulturore të kryeqytetit. “Është kënaqësi e veçantë të jemi këtu sot me artistë të mrekullueshëm nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria. Prishtina është qyteti që gjithmonë na bashkon dhe mendon përtej, duke kontribuar në zhvillimin dhe transformimin e vendit tonë,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se artistët kanë një rol thelbësor në këtë rrugëtim. “Dua të falënderoj nga zemra veçanërisht Jehonën, si dhe të gjithë artistët që u bashkuan me ne sot. Me dijen dhe përvojën e tyre, ata kontribuuan në organizimin e diçkaje të mrekullueshme dhe shumë të bukur për kryeqytetin. Për këtë, jemi sinqerisht mirënjohës,” u shpreh Rama.

Kryetari Rama ritheksoi se Komuna është e lumtur që organizon këtë koncert nën patronazhin e saj, duke shprehur mirëseardhjen për artistët që kanë ardhur posaçërisht nga Shqipëria. Ai theksoi se ky koncert dhe organizimet e tjera kulturore janë pjesë e shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ditës më të rëndësishme për kryeqytetin. “Ne jemi këtu për të përkrahur dhe zgjatur dorën secilit që dëshiron të zhvillojë, krijojë dhe ngrejë vlerën e kryeqytetit. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë, sepse qytetarët e Prishtinës e meritojnë vërtet këtë zhvillim, këtë pozitivitet dhe artin e krijuar me shumë dashuri,” përfundoi Rama.

Në emër të organizatorëve, këngëtarja Jehona Sopi falënderoi institucionet dhe të gjithë kontribuuesit për mbështetjen thelbësore në realizimin e këtij projekti madhor kulturor.

“Jemi përpjekur maksimalisht të bëjmë diçka të bukur. Sigurisht, pa përkrahjen tuaj dhe pa mbështetjen e bizneseve, ky produksion, që ka një kosto të jashtëzakonshme, nuk do të ishte realizuar. Me një vullnet të madh, unë të gjithë i konsideroj kontribuues në këtë iniciativë: si qytetarët, ashtu edhe ata që angazhohen e mbështesin. Ne të gjithë kemi shumë dashuri për Prishtinën dhe sigurisht që do të japim bashkërisht,” tha ajo.

Sopi shprehu gjithashtu kënaqësinë për interesimin e lartë të publikut, ndonëse paralajmëroi se vendet ulëse, rreth 2000 në numër, janë të kufizuara. “I ftojmë qytetarët që të mos ngurrojnë të qëndrojnë edhe në këmbë dhe, patjetër, të vallëzojnë! Ky koncert do të jetë fantastik,” përfundoi ajo.

Në koncertin gala “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina” do të performojnë artistët: Adhurim Grezda, Alban Nimani, Alma Bektashi, Aurela Gaçe, Dren Abazi, Elina Duni, Jehona Sopi, Sihana Badivuku, Edon Ramadani, Drini Zeqo, Vesa Luma dhe Kori Okarina.