Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë Gani Gecin, i dyshuar për veprën penale “Kanosja”. Vepra, e parashikuar në nenin 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dyshohet se është kryer nga Geci ndaj një gazetari.

Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari G.G. (Gani Geci) akuzohet se ka kanosur gazetarin me inicialet L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

Në një komunikatë për media nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë, theksohet se në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar si i dëmtuari L.M., ashtu edhe i dyshuari G.G., me qëllim të mbledhjes së informacioneve relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave për zhvillimin e procedurës së mëtejshme.