Prokuroria Speciale e Kosovës tha se në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut, “po vazhdojnë intensivisht”.
“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë”, tha Prokuroria.
Ndërkaq, në njoftim u tha se prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore.
“Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë”.
Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale tha se nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment.
“Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”.

